SBASHK mbështet grevën dy-orëshe në Shkollën `Pavarësia`
BKT
Kosovë

SBASHK mbështet grevën dy-orëshe në Shkollën `Pavarësia`

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka shprehur mbështetje për grevën dy-orëshe të organizuar nga Sindikata e Shkollës “Pavarësia” në Prishtinë. SBASHK ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë dhe dinjitetit të mësimdhënësve.

SBASHK ka dënuar “rastet e përsëritura të fyerjeve, ofendimeve dhe sulmeve verbale ndaj mësimdhënësve". 

"Me shqetësim të thellë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dënon sulmin fizik ndaj një mësimdhënësi në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, si dhe rastet e përsëritura të fyerjeve, ofendimeve dhe sulmeve verbale ndaj mësimdhënësve nga nxënës dhe, në disa raste, nga prindërit", thuhet në komunikatën e Sindikatës. 

SBASHK vlerëson se këto raste “nuk mund të trajtohen si incidente të izoluara”, pasi, sipas tyre, dhuna dhe mosrespektimi ndaj mësimdhënësve po cenojnë rëndë dinjitetin e profesionit dhe sigurinë e procesit edukativo-arsimor.

Në reagim, SBASHK ka bërë të ditur se mbështet grevën dy-orëshe të organizuar nga Sindikata e Shkollës “Pavarësia”, e cila do të mbahet nesër, për të kërkuar reagim të menjëhershëm dhe masa nga institucionet përkatëse.

Nga organet e sigurisë, SBASHK ka kërkuar që “rasti të hetohet në mënyrë të shpejtë dhe të drejtë”, që “të dalin të dhënat e vërteta në dritë” dhe që “të merren masat e duhura ndaj nxënësve dhe personave përgjegjës”.

Po ashtu, sindikata ka kërkuar përgjegjësi institucionale nga menaxhmenti i shkollës dhe Drejtoria e Arsimit, si dhe zbatim të plotë të rregulloreve disiplinore për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

SBASHK ka paralajmëruar se, nëse nuk ka reagim të shpejtë dhe masa konkrete, në nivel komunal në Prishtinë do të shqyrtohet mundësia e ndërprerjes së mësimit edhe në shkollat tjera, “për të mbrojtur mësimdhënësit dhe për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të respektueshëm në arsimin publik”.

“Kjo formë e veprimit sindikal nuk është qëllim në vetvete, por mjet i fundit për të siguruar respektimin e ligjit, dinjitetit profesional dhe sigurisë në shkolla”, thuhet në komunikatën e SBASHK-së. 


MË SHUME NGA Kosovë