Ndalohen 19 kryesues të dyshuar për manipulim të votave në Suharekë
Gentiana Kelmendi/RTKlive
19 persona janë ndaluar për 48 orë për dyshime për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Suharekë, ndërsa gjithsej 72 persona janë intervistuar në kuadër të hetimeve.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Prizren, ka iniciuar hetime me vetiniciativë pas informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë.
Sipas komunikatës së përbashkët për media, hetimet janë autorizuar nga Kryeprokurori Petrit Kryeziu. Në kuadër të këtij hetimi janë intervistuar gjithsej 72 persona të dyshuar.
Nga ta, 19 persona, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, “për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’ nga neni 216 paragrafi 2 i KPRK-së”.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se “brenda afateve ligjore do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”.
Në komunikatë thuhet se Prokuroria dhe Policia e Kosovës “mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin”.























