Nëntë persona akuzohen për tentimvrasje e armëmbajtje në Prishtinë
Emine Hoti/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër nëntë të pandehurve pas përfundimit të hetimeve për një rast të dhunës së armatosur në kryeqytet.
Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., V.A., D.M. dhe E.M., të njohur si grupi “C”, më 1 shtator 2024 rreth orës 22:04 në lokalin “From” dhe në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, janë mbledhur të maskuar dhe të armatosur me armë të gjata, revole dhe mjete të forta (stupca). Ata përdorën tri vetura si Porsche, Volkswagen Polo dhe Audi A7 – me targa të vjedhura, për të sulmuar të pandehurit S.S. dhe anëtarët e grupit të tij, F.A., E.LL. dhe R.LL.
“Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafët 1.5 dhe 1.11, lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par. 1 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, i pandehuri S.S. dhe grupi i tij dyshohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit kanë privuar nga jeta të ndjerin P.G., duke tentuar gjithashtu të vrasin të tjerët. Një tjetër i pandehur, V.B., akuzohet për manipulim me prova dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
“Sipas hetimeve, motivi i këtij sulmi lidhet me një konflikt të mëhershëm të datës 04.03.2024, të ndodhur ndërmjet SH.S. djalit të të pandehurit S.S dhe P.G. vëllait të tani të ndjerit P.G., konflikt i cili ka përshkallëzuar armiqësinë ndërmjet dy grupeve”, thuhet në njoftim.
Prokurori ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen.























