Malishevë, nënshkruhet memorandum për fuqizimin e grave sipërmarrëse
BKT
Kosovë

Malishevë, nënshkruhet memorandum për fuqizimin e grave sipërmarrëse

Valbona Thaçi / RTKLive

Në ambientet e Komunës së Malishevës u nënshkrua sot Memorandumi i Bashkëpunimit për realizimin e projektit “Fuqizimi i grave sipërmarrëse në Kosovë”, ndërmjet kryetarit të komunës, Ekrem Kastrati, dhe drejtorit të projektit zbatues, Valentin Hoxha.

Në njoftimin e kësaj komune thuhet se ky memorandum shënon fillimin e bashkëpunimit institucional për mbështetjen dhe avancimin e rolit të grave në ndërmarrësi, duke përfshirë krijimin e mundësive të reja ekonomike, trajnime profesionale, mentorim dhe qasje në financim. Projekti do të zbatohet nga Fondacioni për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik – Preda Plus Kosovë dhe synon rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe zhvillimin lokal.

Kastrati ka theksuar se Komuna e Malishevës mbetet e përkushtuar për të mbështetur iniciativat që kontribuojnë në barazi gjinore dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kurse nga ana e tij, drejtori Hoxha ka vlerësuar se bashkëpunimi me institucionet lokale është kyç për suksesin e projektit.

Ndërsa koordinatorja e projektit, Valentinë Krasniqi – Zogaj, ka theksuar se memorandum pritet të hapë rrugë për iniciativa konkrete që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e pozitës ekonomike të grave në nivel lokal.


MË SHUME NGA Kosovë