09:28 / 05.03.2026
Gjenden mbetje eshtërore, dyshohet për person të zhdukur nga lufta
Naser Mekolli /RTKlive
Në Rahovec janë gjetur mbetje eshtërore që dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998–1999.
Sipas njoftimit të policisë, rasti është iniciuar si “person i zhdukur”, ndërsa njësia kompetente policore ka nisur gërmimet në lokacionin e dyshuar.
Gjatë procesit të gërmimeve janë hasur pjesë eshtërore me prejardhje njerëzore, për të cilat dyshohet se mund t’i përkasin një individi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Mbetjet eshtërore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë dhe analizës së ADN-së, me qëllim të identifikimit të tyre.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.























