Policia në Prishtinë sekuestron armë dhe realizon 210 urdhëresa gjyqësore
Emine Hoti/RTKlive
Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtina kanë vazhduar aktivitetet e tyre në fusha të ndryshme të sigurisë gjatë javës së kaluar, duke realizuar aksione në disa lokacione të ndryshme.
Sipas njoftimit nga Policia, gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 210 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 32 për vepra penale, ndërsa të tjerat kanë qenë për kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime të ndryshme.
“Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata që kanë qenë të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa”, thuhet në njoftim.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë, ku gjatë kësaj kohe janë sekuestruar katër armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi municionesh.
Ndërkohë, në kuadër të kontrollit në trafikun rrugor, policia ka shqiptuar 5,185 gjoba administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit. Prej tyre, 578 kundërvajtje janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe veturave të pajisura me radar mobil.
























