Aktakuzë për pranim ryshfeti në sektorin privat në Ferizaj
E.Hoti/RTKlive
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve me inicialet B.B. dhe E.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Sipas aktakuzës, më 25 shkurt 2026, rreth orës 14:30, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, në ambientet e KEDS-it, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., ushtrues detyre i koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre i kanë kërkuar drejtpërdrejt të dëmtuarit A.H. shumën prej 400 euro.
Sipas Prokurorisë, kjo shumë është kërkuar me qëllim që të përshpejtohet procedura për vendosjen e njehsorit elektrik në lokalin e tij në fshatin Sojevë. Të pandehurit i kanë bërë me dije se nëse nuk paguhet shuma e kërkuar, vendosja e njehsorit do të vonohej 5 deri në 6 muaj.
Pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të pandehurit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës.
“Me këto veprime, sipas Prokurorisë, ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, nga neni 309 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.























