KRU “Mitrovica” paralajmëron gjoba për keqpërdoruesit e ujit të pijes
Emine Hoti/RTKlive
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka paralajmëruar masa ndëshkuese për konsumatorët që evidentohen duke keqpërdorur ujin e pijes.
Përmes një njoftimi për qytetarët, kompania thekson se uji i pijes duhet të përdoret vetëm për nevoja bazike, si për pije, përgatitje të ushqimit, higjienë personale dhe familjare, si dhe për nevoja themelore shtëpiake.
Sipas njoftimit, përdorimi i ujit të pijes për qëllime të tjera konsiderohet shkelje e kushteve të furnizimit dhe rregulloreve në fuqi.
Ujësjellësi “Mitrovica” ka bërë të ditur se uji i pijes nuk lejohet të përdoret për ujitjen e kopshteve, livadheve dhe sipërfaqeve bujqësore, larjen e automjeteve, oborreve dhe trotuareve, mbushjen e pishinave, si dhe për çfarëdo përdorimi komercial apo ndërtimor pa autorizim paraprak.
Nga kompania theksojnë se edhe në rastet kur konsumatorët janë të pajisur me ujëmatës, kjo nuk i autorizon ata për keqpërdorim të ujit të pijes.
“Konsumatori që evidentohet duke keqpërdorur ujin e pijes do të përballet me masa ndëshkuese, duke përfshirë gjoba sipas legjislacionit në fuqi, ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, si dhe masa të tjera administrative dhe ligjore”, thuhet në njoftim.
Në fund, kompania u ka bërë apel qytetarëve që të përdorin ujin në mënyrë të përgjegjshme dhe racionale, në mënyrë që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm me ujë të pijes për të gjithë konsumatorët.























