Prokuroria në Prishtinë ndalon këngëtarin Gjesti për disa vepra penale
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se me urdhër të Prokurorit Kujdestar është ndaluar për 48 orë këngëtari i njohur si Gjesti.
Sipas njoftimit, ndalimi u bë për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (neni 366 i Kodit Penal të Kosovës), kanosje (neni 181 KPRK) dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë (neni 321 KPRK).
Prokuroria ka thksuar se Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me rastin.
“Për shkak të fazës së hershme të procedurës hetimore dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të ofrohen detaje shtesë lidhur me rastin”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë gjithashtu ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të ndërmarrë veprimet procedurale të nevojshme dhe do të vendosë për masat e mëtejshme në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.























