Raporti i policisë i mbushur me raste të drogës, arrestohen disa persona
BKT
Foto: Arkiv|RTKlive
Kronika

Raporti i policisë i mbushur me raste të drogës, arrestohen disa persona

Milaim Shefkiu/RTKLive

Rastet që lidhen me narkotikë po shfaqen gjithnjë e më shpesh në raportet ditore të Policisë së Kosovës. Vetëm në raportin e fundit 24-orësh janë evidentuar disa raste të posedimit dhe përdorimit të substancave narkotike në qytete të ndryshme të vendit.

Sipas policisë, tri raste janë raportuar vetëm në Prishtinë. Në rrugën “Enver Maloku” një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit policor iu gjetën rreth 6 gram substancë e dyshuar narkotike. Ndërsa në rrugën “Taulantia” një i dyshuar është shoqëruar në stacion pasi iu sekuestruan 7.05 gram substancë e dyshuar narkotike. Një rast tjetër është regjistruar në rrugën “Metush Krasniqi”, ku policia konfiskoi 0.9 gram substancë të dyshuar narkotike nga një i dyshuar.

Raste të ngjashme janë raportuar edhe në rajone të tjera të vendit. Në Kaçanik, policia ka hasur dy persona duke konsumuar substancë që dyshohet të jetë marihuanë, ndërsa janë konfiskuar rreth 3.94 gram.

Një nga rastet më të mëdha është shënuar në Prizren, ku tre persona janë arrestuar pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre janë gjetur dhe sekuestruar 76.3 gram marihuanë, 20.2 gram kokainë, një peshore digjitale, qese për paketim si dhe katër telefona dhe para të gatshme.

Ndërkohë, një tjetër arrestim është bërë në Rahovec, ku një person është kapur me rreth 6.98 gram substancë të dyshuar narkotike dhe është dërguar në mbajtje.

Të dhënat e raportit ditor të policisë tregojnë se rastet që lidhen me posedimin, përdorimin dhe shpërndarjen e narkotikëve po vazhdojnë të paraqiten në qytete të ndryshme të Kosovës, duke reflektuar një trend shqetësues të përhapjes së këtyre substancave.

Në shumicën e rasteve, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastet vazhdojnë.

Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar–nëntor 2025 janë arrestuar gjithsej 893 persona të dyshuar për vepra penale që lidhen me narkotikë, prej të cilëve 440 janë arrestuar konkretisht për posedim të substancave narkotike.

Sa i përket konfiskimeve, gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar rreth 1332 kilogramë lëndë narkotike, prej tyre sasia më e madhe hashash, por ka edhe heroinë, kokainë, farave të kanabisit dhe drogës ekstazi, por edhe bimë kanabisi në njësi të veçanta.

Kujtojmë se sipas të dhënave, mosha mesatare e përdoruesve kosovarë të substancave narkotike është kryesisht e re, duke filluar nga rreth 20 deri në 35 vjeç.


MË SHUME NGA Kronika