I akuzuari për vrasjen e Ademajt mohon përfshirjen, përshkruan ngjarjen
Medina Pasoma/RTK
(E plotësuar) Në Gjykatën Themelore në Prishtinë vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Në seancën e sotme, Murseli deklaroi se natën kritike ai dhe bashkëshortja e tij ishin pre e një grabitjeje, duke pretenduar se grabitësit kërkuan vetëm paratë dhe telefonat.
I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij tha se nuk e ka parë lëndimin që gruaja e tij e kishte pasur në dorën e majtë.
“Ju siguroj edhe një herë që në momentin e ngjarjes, unë dhe fëmijët nuk kemi qenë në veturë, e se si ka ndodh ai lëndim nuk e di sepse nuk e kam parë”, tha ai gjatë seancës, e cila do të vazhdojë pasdite me dhënien e dëshmisë së të akuzuarit tjetër, Granit Plavës.
I pyetur lidhur me këtë çështje, Murseli nuk ofroi përgjigje konkrete, ndonëse u theksua se viktima ndodhej në anën e djathtë të veturës, aty ku pretendohet se ishte afruar i dyshuari tjetër.
Murseli deklaroi gjithashtu se arma e përdorur ishte blerë në ditën e ngjarjes, disa orë para se të ndodhte vrasja.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues, ai tha se pas dëgjimit të krismës kishte vazhduar të largohej me vrap dhe nuk i kujtohet saktë nëse ishte kthyer për të parë prapa. Sipas tij, në vendin e ngjarjes kishte arritur një veturë me shpejtësi dhe kishte vërejtur një person të maskuar, të cilin nuk e kishte njohur pasi, siç tha Murseli, ai kishte ndryshuar edhe zërin.
“I gjatë, me rroba të zeza”, e përshkroi ai personin në fjalë.
Murseli deklaroi se nuk i kujtohet arsyeja pse kishte shkuar në një market pas ngjarjes, ku sipas tij kishte qëndruar me fëmijët. Ai shtoi se personi i parë që kishte kontaktuar ishte Valon Lluka, pasi i ishte kujtuar numri i tij, ndërsa për Kushtrim Kokallën tha se nuk e di se kush e kishte thirrur.
Sa i përket qëndrimit në hotel atë natë, Murseli tha se dhoma ishte rezervuar nga Lluka.
Ai pretendoi gjithashtu se gjatë qëndrimit në qendrën e ndalimit nuk i është bërë kontroll mjekësor, ndërsa shtoi se gjatë vizitës në morg i janë konfiskuar 1 mijë e 350 euro, të cilat, sipas tij, ishin pjesë e shumës prej 2 mijë euro që i kishte marrë më herët.
Në dëshminë e tij, Murseli deklaroi se gjatë takimeve me personin e dyshuar tjetër, nuk kishte diskutuar për çështje personale apo financiare. Ai shtoi se takimi i parë kishte qenë rastësor, ndërsa dy të tjerët, sipas tij, ishin realizuar me ndërmjetësimin e Kushtrim Kokallës.
Murseli: Grabitësit kërkuan vetëm paratë dhe telefonat
Gjyqtarja Fatime Dermaku e ballafaqoi Murselin me fotografi nga vendi i ngjarjes dhe të viktimës.
Ai tha se nuk mund t’i shikojë pamjet dhe se nuk e kishte parë Liridonën të vrarë në vendngjarje, por e pa të nesërmen në morg. Murseli shtoi se gjatë grabitjes i kishte kërkuar Liridonës t’i jepte paratë grabitësve, ndërsa fëmijët e tyre ishin larguar me familjen e saj me dakordësinë e tyre.
Ai pranoi se kishte blerë armën së bashku me Granit Plavën, me pretendimin se Plava do ta shiste më pas, duke sqaruar se nuk do të përfitonte asgjë dhe se nuk e dinte që me atë armë do të vriste bashkëshorten e tij. Pas ngjarjes, Murseli qëndroi në Prishtinë sipas urdhrit të policisë.
Sipas aktakuzës, Murseli kishte orkestruar planin e vrasjes për hakmarrje dhe kishte paguar Plavën për të kryer krimin me armën e siguruar nga Tom Dodaj. Kokalla ishte përfshirë në gjetjen e ekzekutorit.
Në seancat e mëparshme, Dodaj pranoi fajësinë dhe u dënua me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, pasi Apeli reduktoi dënimin fillestar prej 5 vjetësh. Ekspertët e Psikiatrisë Forenzike kanë konstatuar se të akuzuarit nuk kishin çrregullime mendore në kohën e kryerjes së veprës.
Gjykimi vazhdon me intervistimin e të akuzuarve dhe shqyrtimin e provave të mbledhura nga Prokuroria.
Vrasja e Liridona Ademajt, të akuzuarit dalin para gjykatës
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të dalin para gjykatës të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në seancën e kaluar, Prokuroria ka ngritur dyshimet se krimi i rëndë ndodhi për arsye të përfitimit financiar.
E në seancën e 29 janarit, Murseli tha para trupit gjykues se nuk ka pasur asnjë marrëveshje për ta vrarë bashkëshorten. Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.























