Tentim ikjeje dhe përplasje me Policinë në Lipjan, arrestohen dy persona
N.Mekolli /RTKlive
Një incident ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Lipjan, ku Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në shitje të narkotikëve.
Sipas raportit zyrtar, rasti ka ndodhur më 28 mars 2026 rreth orës 19:43, kur zyrtarët policorë kanë tentuar të ndalin një veturë për të cilën kishin informacione se po merrej me shpërndarje të drogës. Megjithatë, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe gjatë tentativës për t’u larguar ka goditur një veturë zyrtare policore.
Pas një ndjekjeje, Policia ka arritur ta ndalojë veturën e dyshuar, një Mercedes me ngjyrë hiri dhe targa lokale, në të cilën ndodheshin dy persona meshkuj, shtetas të Kosovës.
Të dy të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes. Gjatë ndërhyrjes, një zyrtar policor ka pësuar lëndime të lehta trupore.























