Ndalohet reperi “Mossi” dhe dy persona, dyshohet se sulmuan një gazetar
Naser Mekolli /RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në kuadër të hetimeve intensive dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre persona të dyshuar për 48 orë.
Sipas njoftimit, njëri nga të ndaluarit është reperi i njohur me nofkën “Mossi”, i cili dyshohet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, si dhe “Kanosje”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të dyshuarit janë ndaluar në lidhje me një rast të sulmit fizik të dyshuar ndaj gazetarit Burim Pacolli.
Prokuroria bëri të ditur se prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Në njoftim thuhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në trajtimin me prioritet të rasteve që cenojnë sigurinë dhe integritetin e qytetarëve, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në përputhje me kompetencat e saj.























