Dhunë në familje, armë ilegale dhe narkotikë gjatë 24-orëshit të fundit
Sh.Çoçaj/RTKlive
Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor mbi incidentet kriminale në vend, ku dominojnë rastet e dhunës në familje, posedimit të narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje në disa rajone të Kosovës.
Sipas policisë, në Prishtinë, një person është arrestuar nën dyshimin për dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në dy raste të ndara, janë shoqëruar persona të dyshuar pasi gjatë kontrollit u janë gjetur sasi të vogla të substancës narkotike marihuanë; të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.
Në rajonin e Ferizaj, tre persona janë përfshirë në një rrahje pas një mosmarrëveshjeje pronësore, duke pësuar lëndime trupore. Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej tyre, policia ka konfiskuar një armë zjarri me 15 fishekë. Ndërkohë, në Kaçanik janë arrestuar dy persona për posedim të narkotikëve, të cilët më pas janë liruar me procedurë të rregullt.
Raste të kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje janë raportuar edhe në rajonin e Prizren, përkatësisht në Suharekë dhe qytetin e Prizrenit, ku dy persona janë arrestuar dhe u është caktuar masa e mbajtjes. Ndërkohë, një rast i personit të zhdukur në Landovicë ka rezultuar me gjetjen e të miturës, e cila sipas policisë ka deklaruar se qëndron me dëshirë tek një person tjetër.
Në rajonin e Pejë, policia ka arrestuar një të dyshuar pas zbulimit të 91 bimëve kanabis, një arme automatike dhe pajisje të tjera të kundërligjshme në shtëpinë e tij.
Ndërkohë, në Vushtrri është raportuar një tjetër rast i dhunës në familje, ku viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Po ashtu, një person është arrestuar për armëmbajtje pa leje, me sekuestrim të armëve të ndryshme.
Në veri të vendit, në Mitrovicë dhe zonat përreth, janë raportuar raste të lëndimit trupor, vjedhjes së rëndë dhe zbulimit të arsenalit të armëve në shtëpi të pabanuara, përfshirë armë automatike, granata dhe municion të ndryshëm. Autoritetet kanë nisur hetimet për këto raste.
Ndërkohë, në Podujevë, policia kufitare ka ndaluar një rast të transportit ilegal të druve, ku janë konfiskuar mbi 2 metra kub dru pa dokumentacion përkatës.
Sipas policisë, në disa rajone si Gjilani dhe Gjakova nuk është raportuar asnjë incident i rëndësishëm gjatë kësaj periudhe.























