Këto janë dy lokacionet ku u zhvillua aksioni policor në Zubin Potok
Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në dy lokacione të ndryshme në Zubin Potok, ku janë zbuluar dhe sekuestruar armë dhe pajisje të dyshuara ilegale. Operacioni është realizuar të dielën në orare të ndryshme, gjatë patrullimeve policore dhe me ndihmën e informacioneve nga qytetarët.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në lokacionin e parë, në 'Luca Reka', është gjetur arsenal armësh në një shtëpi të pabanuar.
“Policia gjatë patrullimit në një shtëpi të pabanuar, kanë gjetur dhe sekuestruar armë gjysmë automatike me bajonetë, fishekë kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe një llogo të shtetit serb. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh.
Ndërsa në lokacionin e dytë, në Paljevë, janë gjetur mjete edhe më të rënda luftarake.
“Policia gjatë patrullimit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe sekuestruar një zollë, armë AK-47, granata dore, trombllona, karikatorë të AK-47, fishekë kalibrave të ndryshëm dhe bajoneta. Në vendin e ngjarjes kanë dal edhe njësiti i EOD-së. Rasti është duke u hetuar”, thekson policia.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë në fazë hetimi dhe po trajtohen nga njësitet kompetente, ndërsa mbetet të përcaktohet origjina dhe qëllimi i pajisjeve të sekuestruara.























