Publikohet dokumentari “Dada Zojë”, kushtuar masakrës së Korenicës
BKT
Kosovë

Publikohet dokumentari “Dada Zojë”, kushtuar masakrës së Korenicës

Kimete Kasumi/ RTKlive

Është publikuar dokumentari “Dada Zojë”, nga regjisori dhe producenti Vranin Gecaj, i cili i kushtohet masakrës së Korenicës. Dokumentari e trajton këtë ngjarje përmes rrëfimit të një dëshmitareje okulare.

Filmi bazohet në historinë e një gruaje të moshuar, e njohur si Dada Zojë, e cila në kohën e realizimit të dokumentarit ishte rreth 88 vjeç. Ajo sjell një dëshmi të drejtpërdrejtë për ngjarjet e përjetuara gjatë luftës së viteve 1998–1999, duke përshkruar me detaje momentet e dhunës dhe humbjes që përjetoi familja e saj dhe komuniteti përreth.

Gecaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, theksoi se qëllimi i dokumentarit nuk ka qenë vetëm rikujtimi i së kaluarës, por edhe sjellja e një perspektive njerëzore dhe emocionale të ngjarjes. Ai tha se rrëfimi i Dadës përfaqëson një dëshmi të sinqertë dhe të thellë, që pasqyron dhimbjen e shumë familjeve shqiptare gjatë luftës.

Po ashtu tha se procesi i realizimit të filmit ka qenë sfidues, veçanërisht në aspektin emocional, duke theksuar se dëgjimi dhe dokumentimi i rrëfimeve të tilla është i rëndë, por i domosdoshëm për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të dokumentuar historinë.

Dokumentari mbështetet kryesisht në dëshminë e protagonistes, por është plotësuar edhe me burime të tjera, përfshirë materiale nga gjykimet për krime lufte dhe literaturë që trajton masakrën e Korenicës. Këto burime shërbejnë për të konfirmuar dhe kontekstualizuar rrëfimin personal.

“Dëshmia është enkas nga Dada, pra ajo është dëshmitare okulare e asaj që ka ndodhur. Natyrisht, unë kam konsultuar edhe burime të tjera. Kam lexuar aktgjykimet nga Gjykata e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi dhe kam parë gjëra që me të vërtetë janë makabre. Po ashtu ekziston edhe literaturë e shkruar dhe e raportuar për këtë masakër. Për shembull, një nga këto është libri i një anëtari të familjes Berisha, i cili ka shkruar për martirët e Korenicës. Ky është një botim shumë interesant, ku me emër dhe mbiemër për secilën viktimë tregohet historia e tyre. Është me rëndësi të theksohet se kjo masakër ka qenë e organizuar nga shteti serb dhe forcat e tij, me qëllim shpopullimin dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga kjo zonë e Kosovës”, u shpreh ai.


MË SHUME NGA Kosovë