Anëtarësimi në Këshillin e Evropës përmbyll subjektivitetin ndërkombëtar
BKT
Kosovë

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës përmbyll subjektivitetin ndërkombëtar

RTKlive

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të mund ta përmbyllte subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ka thënë Lirik Veselaj, asistent i lëndës Teoria e Shtetit dhe e së Drejtës në Universitetin e Prishtinës, me rastin e 5 Majit - Ditës së Këshillit të Evropës.

Në një intervistë në emisionin "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK, Veselaj, ndër të tjera, tha se vonesat në anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill lidhen me jostabilitetin politik në vend.

Sipas tij, edhe pse Kosova i ka përmbushur kriteret për anëtarësim në këtë organizatë, vendimi vazhdon të mbetet politik.

Ai theksoi se Kosova ka demonstruar vazhdimisht një qasje pozitive në raport me kriteret e përcaktuara nga statuti i Këshillit të Evropës, por ajo që duhet bërë tani është konsolidimi sa më i shpejtë i institucioneve kushtetuese: Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës, të cilat kanë rol vendimtar në avancimin e agjendës së anëtarësimit.

“Vetëm përmes funksionimit të qëndrueshëm dhe koordinimit të këtyre institucioneve, Kosova mund ta përshpejtojë këtë proces dhe ta çojë përpara deri në realizimin e plotë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë profesor Veselaj.

Ai shtoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës mund t’i sjellë Kosovës përfitime të drejtpërdrejta dhe të shumëfishta.

“Në momentin që Kosova bëhet pjesë e kësaj organizate, ajo do të bëhet palë në mbi dyqind traktate ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim të rëndësishëm në fusha të ndryshme: në arsimin e lartë, në njohjen e diplomave, në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe në avancimin e sundimit të ligjit”, ka thënë Veselaj.

 


MË SHUME NGA Kosovë