Parandalohet kontrabanda me afro 3 mijë litra vaj motorik në Podujevë
BKT
Kronika

Parandalohet kontrabanda me afro 3 mijë litra vaj motorik në Podujevë

Emine Hoti/RTKlive

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në zonën kufitare të Podujevës, ku janë sekuestruar mijëra litra vaj motorik të kontrabanduar nga Serbia.

Sipas policisë, më 19 maj 2026, njësitë policore kufitare në fshatin Herticë të Podujevës kanë ndaluar një traktor me rimorkio, i cili transportonte 161 bidonë të mbushur me gjithsej 2898 litra vaj motorik.

Dyshohet se malli ishte futur ilegalisht nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve malore dhe jashtë pikave të autorizuara kufitare.

“Malli i kontrabanduar është dërguar në terminalin doganor në Merdare për procedura të mëtejshme doganore nga Dogana e Kosovës, ndërsa me autorizim të prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ‘kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare&kontrabandim me mallra’” thuhet në njoftim.

Personi i dyshuar është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.


MË SHUME NGA Kronika