Gjatë fundjavës sekuestrohen armë dhe municion në rajonin e Pejës
N.M. /RTKlive
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se gjatë fundjavës, më 6 dhe 7 qershor 2026, në disa lokacione të ndryshme janë realizuar aksione policore që kanë rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh dhe municioni.
Sipas policisë, janë konfiskuar katër armë zjarri, përfshirë një pistoletë të tipit Bereta, një armë gjuetie të tipit Uzumlu, si dhe dy pistoleta të tipeve M57 dhe TT. Po ashtu, janë sekuestruar 25 fishekë, tre karikatorë, një jelek antiplumb, një thikë dhe një pajisje radiolidhjeje.
Në lidhje me këto raste janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë prej tyre janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri është ndaluar për 48 orë.























