Javë kryesisht stabile, reshje lokale dhe temperatura deri në 30 gradë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme mbi Kosovë do të mbizotërojnë kushte relativisht të qëndrueshme atmosferike, me temperatura afër mesatares për këtë periudhë.
Sipas parashikimit, moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare, ndërsa herë pas here, sidomos gjatë orëve të pasdites, pritet zhvillim i vranësirave konvektive që mund të sjellin reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, kryesisht të martën.
Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga 10 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 30 gradë Celsius.
E hëna dhe e enjtja parashihen më stabile dhe pa reshje, ndërsa të martën priten zhvillime më të theksuara të vranësirave me mundësi për reshje lokale. Ditët e tjera do të karakterizohen nga mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
Sipas IHMK-së, kushtet agrometeorologjike do të jenë të favorshme për shumicën e kulturave bujqësore, falë temperaturave të moderuara dhe lagështisë së mjaftueshme në tokë. Reshjet e herëpashershme pritet të ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë, duke reduktuar nevojën për ujitje në shumë zona.
Ndërkohë, cilësia e ajrit pritet të jetë kryesisht e mirë deri mesatare, si rezultat i qarkullimit të vazhdueshëm të masave ajrore. Indeksi UV do të jetë i lartë gjatë pjesës më të madhe të javës, ndaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të gjatë në diell gjatë orëve të pikut dhe përdorimi i mjeteve mbrojtëse.
Kushtet biometeorologjike vlerësohen përgjithësisht të favorshme për popullatën, megjithëse personat e ndjeshëm mund të përjetojnë shqetësime të lehta gjatë ditëve me ndryshime atmosferike.























