Automjeti i raportuar si vjedhje, policia dyshon për vetëgjyqësi
E.Hoti/RTKlive
Një rast i raportuar fillimisht si vjedhje e automjetit në Gjilan ka marrë një drejtim tjetër pas veprimeve hetimore të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, më 17 qershor 2026 në Stacionin Policor në Gjilan është raportuar një rast i dyshuar i vjedhjes së një automjeti. Menjëherë pas pranimit të informacionit, hetuesit policorë nga Njësiti i Hetimeve kanë ndërmarrë veprime intensive operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
"Si rezultat i veprimeve të deritanishme, grumbullimit dhe analizimit të provave materiale, hetuesit kanë siguruar prova të arsyeshme që tregojnë se rasti nuk paraqet elemente të veprës penale ‘vjedhje e rëndë’, por ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale ‘vetëgjyqësi’.", thuhet në njoftim
Policia ka bërë të ditur se automjeti është lokalizuar dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale të nevojshme lidhur me rastin.
Hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorin e Shtetit, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe përgjegjësive eventuale që lidhen me këtë rast.























