Sulmon qytetarin dhe zyrtarët policorë, arrestohet i dyshuari
E.Hoti/RTKlive
Një person është arrestuar në Mitrovicën e Jugut pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një qytetar, ka dëmtuar prona dhe më pas ka sulmuar edhe zyrtarë policorë gjatë arrestimit dhe në ambientet e institucioneve ku është dërguar.
Sipas raportit të policisë, rasti ka ndodhur më 18 qershor 2026, rreth orës 20:58, në rrugën “Lah Nimani”. I dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se në gjendje të dehur ka goditur një qytetar, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Policia bën të ditur se gjatë ndërhyrjes dhe prangosjes në vendin e ngjarjes, i dyshuari ka sulmuar një zyrtar policor. Sulmet kanë vazhduar edhe në stacionin policor dhe më pas në spital, ku ai dyshohet se ka sulmuar edhe dy zyrtarë të tjerë policorë, duke i kanosur verbalisht me vrasje.
Përveç kësaj, i dyshuari ka dëmtuar motoçikletën e viktimës si dhe një automjet tjetër.
Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë dhe viktima kanë pranuar trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.
Pas trajtimit mjekësor, me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.























