Policia e Ferizajt shqipton 240 gjoba për përdorim të telefonit
N.M. /RTKlive
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë muajit qershor 2026 ka shqiptuar gjithsej 240 gjoba ndaj shoferëve që kanë përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit.
Sipas policisë, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore dhe rrezikon seriozisht sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.
Autoritetet policore kanë apeluar te të gjithë shoferët që të shmangin çdo shpërqendrim gjatë ngasjes dhe të përqendrohen plotësisht në rrugë, pasi edhe një moment pakujdesie mund të ketë pasoja fatale.
Po ashtu, Policia e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë shkeljet e rregullave të trafikut përmes stacioneve policore, aplikacionit “Lajmëro Policinë” si dhe numrave kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, duke siguruar se të dhënat e tyre do të ruhen në konfidencialitet të plotë.























