Katër të lënduarit nga plagosja në Podujevë, njëri kalimtar rasti
Medina Pasoma / RTKlive
(E plotësuar, 16:10) Ka shkuar në katër numri i të plagosurve në Podujevë, të cilat janë dërguar në Qendrën Emergjente në Prishtinë. Bëhet e ditur se njëri nga të lënduarit ka qenë kalimtar rasti, teksa tre të tjerë kanë lidhje familjare dhe motivet e rastit mund të jenë edhe për çështje familjare.
Basri Shabani, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Prishtinës ka konfirmuar se njëri nga katër të lënduarit ka qenë kalimtar rasti në armë gjuajtjen në Podujevë.
“Nga rasti janë lënduar katër persona. Tre nga ta janë të përfshirë drejtpërdrejtë në incident dhe një kalimtar rasti”, ka thënë ai para medieve.
“Për motive ende nuk jemi të sigurt sepse ende jemi në fazën e parë të grumbullimit të informacioneve...Po kanë lidhje familjare dhe kjo mund të jetë motivi, por ende s’mund të themi saktësisht asgjë”, ka shtuar ai.
Shabani ka folur edhe për zyrtarin policor, i cili i veshur në rroba civile, ka ndërhyrë në rast.
“Zyrtari policor ka qenë me rroba civile, është polic i Podujevës, ka intervenuar dhe fatmirësisht ka ndikuar që të parandalohet ndonjë lëndim apo plagosje tjetër”, ka thënë Shabani.
(15:09) Shkon në katër numri i të lënduarve, njëri në operim
Naser Syla, drejtor i Emergjencës në QKUK ka konfirmuar për RTKlive se gjendja e tyre është stabile për momentin.
“Katër personat janë me plagë skllopetare të rënda. Janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme. Gjendja e tyre është stabile për momentin”, ka konfirmuar ai.
"Njëri nga të lënduarit është në sallë operative nga ekipet e anestezionit dhe neurokirurgjisë", tha ai.
(14:20) Tre të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Podujevë
Tre persona kanë mbetur të plagosur nga rasti me të shtëna me armë zjarri në Podujevë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana ka konfirmuar që ngjarja ndodhi rreth orës 13:30.
“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se tre persona janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në konfirmim.
Aktualisht, njësitet policore po vijojnë me ndërmarrjen e veprimeve operativo- hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.























