Dy persona gjenden pa shenja jete në rajonin e Prizrenit
Arton Mulliqi /RTK
Dy persona janë gjetur pa shenja jete gjatë ditës së sotme në rajonin e Prizrenit, ndërsa në të dyja rastet dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka thënë se në rrugën "Turgut Oezal" në Prizren, një grua rreth 54-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e saj, vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi i Emergjencës, në vendin e ngjarjes. Bazuar në rrethanat e evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje, ka thënë ai.
Rasti i dytë është raportuar në një zonë pyjore të fshatit Restelicë, në komunën e Dragashit, ku është gjetur pa shenja jete një burrë rreth 68-vjeçar, i cili po ashtu bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se ka kryer vetëvrasje, ka thënë Bytyqi.
Për të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar fillimin e veprimeve hetimore.























