Policia në Gjakovë parandalon gara ilegale, gjobiten dy shoferë
Sh.G|RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar organizimin e garave ilegale të shpejtësisë me automjete në Gjakovë, në kuadër të aktiviteteve për rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, aksioni është realizuar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, ndërsa ndaj dy drejtuesve të automjeteve janë shqiptuar masa ndëshkuese në përputhje me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Të dy shoferët janë gjobitur me nga 500 euro, u janë shqiptuar nga pesë pikë negative dhe u është vendosur masa mbrojtëse e ndalimit të patentë-shoferit për një periudhë prej 12 muajsh.
Policia Rajonale në Gjakovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim të rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.























