Plagosje me armë zjarri në Pejë, një i dyshuar në ndalim 48-orësh
Sh.Çoçaj/RTKlive
Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën të dielën mbrëma në Pejë, ndërsa i dyshuari është vetëdorëzuar disa orë më vonë dhe është ndaluar për 48 orë.
Sipas Policisë në Pejë, rasti është raportuar rreth orës 22:36, në rrugën “Mbreti Pirro”.
“Stacioni Policor në Pejë në orën 22:36, është informuar se në rrugën ‘Mbreti Pirro’, në Pejë, kishte ndodhur një plagosje dhe një person ishte lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia bëri të ditur se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur viktimën e plagosur nga arma e zjarrit. I lënduari fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
“Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile”, njofton Policia.
Pas incidentit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa në vendngjarje kanë dalë njësitet kompetente policore, drejtori rajonal dhe prokurori i shtetit. Hetuesit kanë zhvilluar veprime për lokalizimin e tij, ndërsa me autorizim të prokurorit është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.
“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar 73 fishekë të kalibrit 7.65 mm, 41 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe tre karikatorë”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, më 14 korrik 2026, rreth orës 02:30, i dyshuari është vetëdorëzuar dhe ka dorëzuar edhe dy armë, dy karikatorë dhe 15 fishekë, të cilët dyshohet se janë përdorur në kryerjen e veprës penale.
“I njëjti, në prezencën e avokatit mbrojtës, është intervistuar nga hetuesit dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur motivin e plagosjes, ndërsa kanë theksuar se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.























