Arrestohen dy persona në Prishtinë, policia u konfiskon kokainë
M.Sh/RTKLive
Dy persona janë arrestuar në një aksion të Policisë së Kosovës, pasi gjatë kontrollit janë sekuestruar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë.
Policia njoftoi se hetuesit e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, pas një pune operative-hetimore, më 15 korrik kanë lokalizuar në magjistralen Pejë–Prishtinë të dyshuarin me inicialet F.P. (i lindur më 1992), i cili ndodhej në një veturë.
Gjatë kontrollit të veturës dhe bastisjes së shtëpisë së tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë, si dhe dëshmi të tjera relevante për rastin. Veprimet janë kryer në koordinim me prokurorin kujdestar.
Po ashtu, është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit tjetër, Q.K. (i lindur më 1993), por gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë send i ndaluar.
Ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale "blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge".
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.























