Malisheva shënon rendimente të larta në korrjen e grurit
V.Th / RTKLive
Fushata e korrje-shirjeve në Komunën e Malishevës po shkon drejt përfundimit, ndërsa rezultatet e deritanishme tregojnë për rendimente të larta dhe cilësi të mirë të grurit.
Sipas të dhënave të Komunës së Malishevës, rendimenti mesatar këtë vit arrin rreth 5 mijë kilogramë grurë për hektar. Gjatë vizitave në terren, zyrtarët komunalë kanë parë nga afër procesin e korrjes në disa zona dhe pikat e grumbullimit.
Në njërën nga pikat kryesore të grumbullimit në Mleqan, deri më tani janë pranuar mbi 15 milionë kilogramë grurë, ndërsa korrja vazhdon.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sylë Dukolli, ka vlerësuar punën e fermerëve malishevas.
“Ky është një sezon shumë i mirë për bujqësinë në Komunën e Malishevës. Rendimentet dhe cilësia e grurit dëshmojnë për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e fermerëve tanë”, ka thënë Dukolli.
Ai ka shtuar se Komuna e Malishevës do të vazhdojë mbështetjen për fermerët, me qëllim të zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe rritjes së prodhimit vendor.























