Aksion për krime kibernetike në Prizren, arrestohet një i dyshuar
BKT
Kronika

Aksion për krime kibernetike në Prizren, arrestohet një i dyshuar

G.K/RTKlive

Një person është arrestuar në rajonin e Prizrenit në një aksion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën dyshimin se ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, të cilat dyshohet se i ka vënë në dispozicion për keqpërdorim në platforma online.

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka zbatuar një urdhëresë të Gjykatës, me ç'rast është zhvilluar kontroll në një lokacion në rajonin e Prizrenit.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, rasti është hetuar në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit, personi i dyshuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për një person tjetër, ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve të ShBA-së. Më pas, këto të dhëna i ka vënë në dispozicion për qëllime keqpërdorimi, duke i vendosur në platforma të caktuara online.

I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Rasti është në proces të mëtejmë hetimor. Gjithashtu, veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin.


MË SHUME NGA Kronika