Policia në Gjilan shqipton mbi 2 mijë gjoba
Sh.G|RTKlive
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shqiptuar gjithsej 2.012 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë periudhës 10–16 korrik 2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kësaj periudhe janë hetuar 22 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 18 aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, policia ka shqiptuar 31 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, ndërsa ndaj 32 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Në kuadër të kontrolleve në trafik janë konfiskuar përkohësisht edhe 11 motoçikleta.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore.
"Ulni shpejtësinë. Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë. Respektoni rregullat e trafikut, mos përdorni telefonin gjatë vozitjes, vendosni rripin e sigurimit, tregoni kujdes ndaj këmbësorëve dhe respektoni sinjalistikën rrugore dhe semaforët. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët", thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.























