Muja në Istog: Nga java tjetër propozojmë masat për rikthimin e fermerëve
BKT
Kosovë

Muja në Istog: Nga java tjetër propozojmë masat për rikthimin e fermerëve

Islam Haxhiu / RTK

( E plotësuar) Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka vizituar sot fshatin Kovragë të Istogut, një ditë pasi reshjet e breshrit shkaktuan dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore.

Muja bëri me dije se Ministria e Bujqësisë do të nisë procedurat ligjore për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve.

“Ne do të punojmë paralelisht në dy drejtime. E para është aspekti procedural, të cilin e njeh kryetari, ndërsa e dyta përfshin angazhimin e të gjitha drejtorive. Të gjithë drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Bujqësisë janë këtu me mua dhe, nga java e ardhshme, do të propozojmë masat për mënyrën se si mund t’i ndihmojmë të gjithë këta fermerë që të rikthehen”, deklaroi Muja.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, e cilësoi situatën si një fatkeqësi të madhe natyrore dhe kërkoi mbështetje institucionale për fermerët.

Ferati ngriti shqetësimin për dëmet e mëdha që kanë pësuar disa bujq, duke theksuar se, në disa raste, dëmet mund të kenë prekur deri në 100 për qind të prodhimit.

Pamje nga Kovraga: Fermerët, dëmet nga breshëri janë të pallogaritshme

Këto pamje nga Kovraga e Istogut flasin për dëmet e shkaktuara nga breshëri gjatë ditës së djeshme.

Fermerët thonë se nuk ka shpëtuar asgjë nga prodhimet e tyre bujqësore. Dëmet, sipas tyre, janë të pallogaritshme.

Agim Blakaj, njëri prej tyre, thotë se vetëm brenda pak minutave i është shkatërruar e gjithë prodhimtaria e tij.

Edhe fermeri tjetër, Afrim Salihu nga Kovraga, thotë se dëmet në të gjitha kulturat janë shumë të mëdha.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, po qëndron momentalisht në Istog për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga breshëri dhe për t’u njohur me situatën me të cilën po përballen fermerët e kësaj zone.


MË SHUME NGA Kosovë