Gjashtë shoferë ndëshkohen në Ferizaj për alkool dhe tejkalim shpejtësie
Policia Rajonale e Ferizajt ka ndëshkuar gjashtë shoferë gjatë kontrolleve të intensifikuara të realizuara në orët e hershme të mëngjesit të 26 korrikut 2026, për kundërvajtje të rënda në komunikacion.
Katër prej shoferëve u ndaluan në rrugën "Dëshmorët e Kombit" në Ferizaj, pasi drejtonin automjetet nën ndikimin e alkoolit.
Sipas Policisë, një shofer rezultoi me 1.11 promila alkool në gjak dhe u gjobit me 300 euro, iu shqiptuan dy pikë negative dhe iu pezullua patentëshoferi për gjashtë muaj. Tre shoferët e tjerë rezultuan me 1.00, 0.88 dhe 0.86 promila alkool, ndërsa secili u gjobit me nga 200 euro, mori dy pikë negative dhe iu pezullua patentëshoferi për tre muaj.
Po ashtu, në rrugën magjistrale në fshatrat Bibaj dhe Koshare, policia ndëshkoi dy shoferë për tejkalim të shpejtësisë.
Njëri prej tyre, një 18-vjeçar, u kap duke lëvizur me 102 km/h në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h. Ndaj tij u shqiptua gjobë prej 300 euro, tri pikë negative dhe masa e heqjes së patentëshoferit për tre muaj.
Ndërkohë, një shofer tjetër 26-vjeçar u evidentua duke vozitur me 80 km/h në një zonë me kufizim prej 50 km/h. Ai u gjobit me 200 euro, mori dy pikë negative dhe iu pezullua patentëshoferi për tre muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se kontrollet dhe aktivitetet e shtuara në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe zbatimit të ligjit.























