Katër komunat veriore me furnizim më të qëndrueshëm me ujë
E.Hoti/RTKlive
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” vlerëson se pas marrjes në menaxhim të katër komunave veriore të Kosovës është arritur stabilizimi i furnizimit me ujë dhe përmirësimi i ndjeshëm i shërbimeve për qytetarët.
Në një intervistë për RTK-në, drejtori i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, tha se kompania vazhdon të sigurojë furnizim të rregullt me ujë në gjithë rajonin, ndërsa nga maji i vitit të kaluar ka marrë për herë të parë në menaxhim edhe sistemin e ujësjellësit në katër komunat veriore.
“Nga maji i vitit të kaluar kemi marrë në menaxhim edhe katër komunat veriore të Republikës së Kosovës. Për herë të parë që nga paslufta ato menaxhohen nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Mitrovica’. Kemi pasur angazhime shumë të mëdha, por kemi përmbyllur një proces shumë të rëndësishëm për kompaninë dhe për qytetarët që u shërbejmë”, tha Kurti.
Ai theksoi se procesi nuk ka qenë i lehtë, pasi më herët kishte pasur tentativa të pasuksesshme për shtrirjen e menaxhimit në veri.
“Ka qenë goxha sfidë. Është dashur angazhim shtesë i stafit tonë, por falë bashkëpunimit me kompanitë simotra dhe institucioneve kemi arritur ta menaxhojmë me sukses. Sot shërbimi ndaj qytetarëve është ndryshuar dukshëm për mirë në krahasim me atë që ka qenë para ardhjes sonë”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, rezultatet janë të matshme edhe në aspektin teknik. Ai tha se në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan është ulur ndjeshëm humbja e ujit, ndërsa furnizimi është bërë i pandërprerë.
“Në nëntorin e vitit 2024 këto dy komuna kanë marrë rreth gjysmë milioni metra kub ujë në muaj. Pas marrjes së menaxhimit nga ne, në nëntorin e vitit 2025 kjo sasi ka rënë në rreth 325 mijë metra kub. Pra, kemi reduktuar mbi 35 për qind të sasisë së ujit që shpërndahej, ndërkohë që qytetarët kanë pasur ujë 24 orë pa asnjë ankesë”, deklaroi ai.
Drejtori i KRU “Mitrovica” tha se reduktimi i konsumit ka ardhur si rezultat i eliminimit të keqpërdorimeve dhe riparimit të defekteve në rrjet.
“Ka pasur keqpërdorime dhe keqmenaxhim të rrjetit. Vetëm në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan ekipet tona kanë realizuar mbi 800 intervenime. Këto ndërhyrje janë përkthyer në furnizim më të mirë dhe shërbime më cilësore për qytetarët”, theksoi Kurti.
Ai bëri të ditur se kompania tashmë ka kompletuar edhe stafin në katër komunat veriore, duke rekrutuar 115 punonjës nga komunitete të ndryshme.
“Mbi 54 për qind e stafit janë nga komuniteti serb, ndërsa pjesa tjetër janë shqiptarë, boshnjakë dhe romë. Është një ekip multietnik që funksionon shumë mirë dhe kjo reflektohet edhe në cilësinë e shërbimeve që po u ofrohen qytetarëve”, përfundoi drejtori i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti.























