Gjenden dy të rinjtë që humbën në malet mes Shtërpcës, Ferizajt dhe Suharek
N.M. /RTKlive
Dy të rinj, të cilët kishin humbur orientimin në zonën malore ndërmjet Shtërpcës, Ferizajt dhe Suharekës, janë gjetur shëndoshë e mirë pas një aksioni disaorësh kërkim-shpëtimi.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti është raportuar më 1 gusht 2026 rreth orës 20:40, kur është njoftuar se dy persona kishin mbetur të bllokuar në terren malor. Menjëherë janë aktivizuar njësitë policore nga Ferizaj, Shtërpca dhe Suhareka, ndërsa në operacion është përfshirë edhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.
Pas disa orësh kërkime, rreth orës 01:00 të 2 gushtit, ekipet kanë arritur t’i lokalizojnë dhe t’i nxjerrin nga terreni dy të rinjtë, rreth 20 vjeç, të cilët kishin humbur rrugën pasi ishin futur me një motoçikletë katër-rrotëshe (ATV) në një rrugë pa dalje.
Të rinjtë janë dorëzuar te familjarët e tyre në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa lëndime.
Policia ka shprehur mirënjohje për Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, dega në Suharekë, për profesionalizmin dhe angazhimin në këtë operacion.
Njëkohësisht, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat malore, të shmangin shtigjet e panjohura dhe të planifikojnë paraprakisht aktivitetet në natyrë, duke njoftuar familjarët dhe institucionet përkatëse.























