Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm seksual ndaj të miturës
E.Hoti/RTKlive
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Sh.R., i dyshuar për veprën penale “sulm seksual”, në dëm të një të miture rreth 14-vjeçare.
Sipas njoftimit të gjykatës, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 16 gusht, në rrugën Ferizaj–Gjilan, në fshatin “B”. I dyshuari dhe e mitura dyshohet se kishin komunikuar paraprakisht përmes rrjetit social Snapchat.
Sipas dyshimeve të paraqitura në gjykatë, pasi e mitura kishte hipur në veturën e të dyshuarit, ai dyshohet se e kishte prekur në pjesë intime dhe i kishte bërë komente me përmbajtje seksuale.
E mitura dyshohet se kishte kërkuar të ndalej në një pikë përgjatë rrugës, ndërsa pasi kishte hyrë në tualet kishte kërkuar ndihmë dhe kishte njoftuar Policinë. I dyshuari më pas ishte arrestuar.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e paraburgimit.
Sipas gjykatës, e mitura pas ngjarjes kishte kërkuar edhe ndihmë mjekësore për shkak të frikës dhe ankthit. Masa e paraburgimit është caktuar për një muaj. Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit.























