116 vjet nga rënia e Rustem Kabashit|VIDEO
BKT
Kosovë

116 vjet nga rënia e Rustem Kabashit|VIDEO

Myrvete Axhami/RTK

Në 116 vjetorin e ekzekutimit me varje nga regjimi Osman i mbi një shekulli më parë, është nderuar me simbolet e dëshmorit të kombit Rustem Kabashi, nga Kabashi i Prizrenit, i cili gjithë jetën e tij nuk ndaloi së kërkuari çlirimin e trojeve shqiptare.

Në akademinë përkujtimore, të organizuar nga autoritetet e Organizatës së Luftës Nacional Çlirimtare të Shqipërisë, institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë, morën pjesë, përveç familjarëve, edhe ud e presidentes Albulena Haxhiu, ministri në detyrë Ejup Maqedonci dhe figura të tjera kontributdhënëse në mbrojtjen e Kombit Shqiptar.

"116 vjet më vonë ne e kujtojmë Rustë Kabashin nga një Kosovë e lirë dhe e pavarur, ai nuk e pati  mundësinë e tij ta shihte kohën kur shqiptarët do të vendosnin vetë për vendin e tyre, por përpjekja ndaj së cilës ai ia kushtoj jetën, i përket së njëjtës histori të gjatë që pas shumë brezash pas shumë sakrificash, na solli drejt çlirimit", ka thënë Albulena Haxhiu- U.D Presidente e Kosovës

" Ky vendim është një mirënjohje për një jetë në shërbim të atdheut, por njëkohësisht një nderim për një brez të tërë që në periudha vendimtarë të historisë sonë mori me vete përgjegjësinë për të mbrojtur popullin, tokën dhe identitetin tonë kombëtar", tha Ejup Maqedonci - Ministër në detyrë i Kosovës

Atdhedashurinë për kombin të Rustem Kabashit e vlerësoi edhe nënkryetarja e bashkisë së Pukës Denisa Meqi dhe nënkryetari i Prizrenit Kujtim Gashi.

"Rustë Kabashi jeton në gjeneratat e reja përmes këngës librave dhe veprave të pavdekshme, Sot Kabashi, Prizreni e Kosova, janë krenar nga nderimi që po i bën Shqipëria", tha Kujtim Gashi Nënkryetar i Prizrenit.

"Për Pukën është krenari që një figurë e tillë, i ka rrënjët në Kabash, e për Prizrenin është një pjesë e historisë së tij qytetare ", ka thënë Denisa Meqi- nënkryetare e Bashkisë së Pukës.

Për trashëgimtarët e familjes Kabashi, ky është një rast i veçantë i nderimit për ta si familjarë dhe respekt për figura të devotshme të kombit në më shumë se një shekull.

"Kur kjo konservohet nga pasardhësit quhet mardhënie familjare, kur shoqëria dhe shteti i japin ati vendin e merituar, ajo tashmë shëndrrohet në kujtesë të përbashkët",  tha Ditar Kabashi- Familjar i Rustë Kabashi.

Qëndresa e Rustem Rexhep Kabashit në 116 vjetorin e rënies u vlerësua nga historianë, studiues dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme të luftës së kombit shqiptar në shekuj nga Kosova dhe Shqipëria.


MË SHUME NGA Kosovë