Policia e Prishtinës sekuestron 14 armë zjarri gjatë një jave
E.Hoti/RTKlive
Zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë vazhduar aktivitetet e tyre në kuadër të ruajtjes së rendit dhe sigurisë, duke realizuar gjatë javës së kaluar gjithsej 65 urdhëresa të gjykatës.
Sipas policisë, nga këto urdhëresa, 47 kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me kundërvajtje, seanca, verifikime dhe çështje të tjera.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresat gjyqësore.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë. “Gjatë së njëjtës periudhë, në Rajonin e Prishtinës janë sekuestruar 14 armë zjarri”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në kuadër të kontrollit të trafikut dhe zbatimit të rregullave të komunikacionit, policia ka shqiptuar gjithsej 4,855 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Nga totali i gjobave, 466 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe veturave me radar mobil, njofton Policia.























