Përfundon pranimi teknik i projektit në Jahoc
Sh.G|RTKlive
Në Zonën Industriale në Jahoc të Gjakovës është bërë sot pranimi teknik dhe dorëzimi zyrtar i projektit për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe ujërave atmosferike.
Sipas njoftimit të KRU “Gjakova”, Kryeshefi Ekzekutiv i kompanisë, Hasan Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka bërë dorëzimin zyrtar të projektit te zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në kuadër të këtij projekti janë vendosur gypa me diametër DN400 dhe DN315 për rrjetin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, ndërsa për rrjetin e ujësjellësit janë vendosur gypa DN110. Rrjeti i ujësjellësit shtrihet në një gjatësi prej 520 metrash.
Vlera e përgjithshme e projektit është rreth 103 mijë e 637 euro. Sipas KRU “Gjakova”, 51 për qind e mjeteve janë financuar nga vetë kompania, ndërsa 49 për qind janë financuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Pranimi teknik dhe dorëzimi zyrtar shënojnë përfundimin e këtij projekti infrastrukturor, i cili mundëson krijimin e rrjetit të nevojshëm të furnizimit me ujë dhe menaxhimit të ujërave të zeza dhe atmosferike në këtë zonë.























