Policia sekusetron dy armë me gaz gjatë një ahengu në Ferizaj
E.Hoti/RTKlive
Policia në Ferizaj ka iniciuar rast ndaj dy personave të dyshuar për të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar në një restorant në fshatin Balaj.
Sipas policisë, rasti është raportuar më 1 shtator, rreth orës 00:30. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas kanë ndërhyrë edhe njësitet e hetimeve dhe forenzikës.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe tërhequr gjithsej 39 gëzhoja të armëve me gaz. Në kuadër të hetimeve janë intervistuar dëshmitarë dhe janë siguruar video-incizime.
Nga analizimi i pamjeve, policia ka identifikuar dy të dyshuar, R.L., 27 vjeç, dhe SH.M., 35 vjeç, të cilët dyshohet se kanë shtënë me armë gjatë ahengut.
Ndaj R.L. është iniciuar rast për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Ndërkaq, ndaj SH.M. është iniciuar rast për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Gjatë veprimeve policore janë sekuestruar dy armë me gaz. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt hetimore.























