Aktakuzë ndaj katër personave për parregullsi me ndërtime në Suharekë
BKT
Kronika

Aktakuzë ndaj katër personave për parregullsi me ndërtime në Suharekë

V. Th. / RTKLive

Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Prokurorisë Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave – dy prej tyre zyrtarë komunalë – lidhur me dyshimet për parregullsi, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndërtime pa leje në një objekt në Komunën e Suharekës.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, Inspektori i Ndërtimtarisë H.M. dhe Drejtori i Inspekcioneve A.D. akuzohen për kryerjen e veprës penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar" në bashkëkryerje. Hetimet tregojnë se zyrtarët komunalë, edhe pse kishin konstatuar parregullsi në objektin ndërtimor, nuk ndërmorën hapat e nevojshëm ligjorë.

Me gjithë urdhrin e parë drejtuar investitorit për ndërprerjen e punimeve deri në pajisjen me leje, kontrolli i mëtejshëm nuk u realizua brenda afateve, ndërsa në kontrollet e mëvonshme nuk u pasqyrua gjendja reale e tejkalimeve nga leja ndërtimore.

Në anën tjetër, investitori N.B. do të përballet me gjykatën për veprën penale "Ndërtimi pa leje". Ai akuzohet se ka ndërtuar jashtë kushteve të lejes përkatëse: nga etazhiteti i lejuar B+P+2, objekti është realizuar me B+P+3, si dhe janë tejkaluar vijat e ndërtimit për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe shtesë.

Sipas përllogaritjeve të organit të akuzës, këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit një përfitim material në vlerë prej rreth 716 mijë eurosh, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar si pasojë e taksave të papaguara ndërtimore.

Pjesë e aktakuzës është edhe A.H., pronar i kompanisë ndërtimore “B.P.” (e cila ka kryer projektimin dhe punimet), i cili ngarkohet me veprën penale "Punimet ndërtimore të kundërligjshme", pasi ka zbatuar punimet në terren në kundërshtim me lejen e lëshuar.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykates Competente që, pas administrimit dhe vlerësimit të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të marrin dënimin e merituar sipas ligjit.


MË SHUME NGA Kronika