Prishtina miraton rregulloren e re, nuk ka tarifë për veturat deri në 3.5 tonë
G.K/RTKlive
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, me të cilën automjetet deri në 3.5 tonë nuk do të paguajnë tarifë për hyrje në qendër të qytetit.
Paraprakisht ishte propozuar që çdo veturë që hynte në qendër të paguante 2 euro, por kjo tarifë u hoq pas kundërshtimit nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas rregullores së miratuar, tarifa për automjetet nga 3.5 deri në 7.5 tonë do të jetë 5 euro, ndërsa për ato mbi 7.5 tonë do të jetë 10 euro.
Tarifa do të vlejë vetëm gjatë orëve të ditës, ndërsa gjatë natës, në orë të caktuara, automjetet e rënda nuk do të jenë të obliguara të paguajnë.
Rregullorja është miratuar me 35 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime, ndërsa për propozimet është arritur dakordim mes të gjitha partive.
Po ashtu, aktivizimi i tarifës për automjetet mbi 3.5 tonë do të bëhet vetëm me vendim të Kuvendit të Kryeqytetit dhe jo me vendim të kryetarit, siç ishte paraparë fillimisht.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se është ndalur tarifa ditore prej 2 eurosh.
“Asnjë veturë, nga asnjë qytet i Kosovës, nuk do të paguajë tarifë për hyrje në Prishtinë”, ka shkruar ai.























