Kërkohet paraburgim ndaj dy të pandehurve për fajde dhe armëmbajtje pa leje
BKT
Kronika

Kërkohet paraburgim ndaj dy të pandehurve për fajde dhe armëmbajtje pa leje

G.K/RTKlive

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ndaj të pandehurve S.S. dhe J.N. ka nisur hetimet dhe ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec, caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se nga muaji gusht 2026 e në vazhdim, në Rahovec, të pandehurit S.S. dhe J.N., me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit E.A.

I dëmtuari kishte marrë nga i pandehuri S.S. shumën prej 1 mijë eurosh, ndërsa më pas i ishte kërkuar që të kthente fillimisht 3 mijë euro, më pas 5 mijë euro dhe në fund 8 mijë euro, nën kërcënimin se në të kundërtën duhej të kthente paratë ose të jepte veturën e familjes së tij.

Më 24 shtator 2026, kur i dëmtuari E.A. ishte takuar me të pandehurin S.S. për t’ia dorëzuar shumën prej 8 mijë eurosh, ishte paraqitur edhe i pandehuri J.N., i cili, sipas Prokurorisë, i kishte thënë të dëmtuarit se 500 euro nga borxhi i marrë ishin të tij dhe se tashmë duhej të paguante 8 mijë euro pasi kamata ishte rritur.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës, pas dorëzimit të parave, S.S. dhe J.N. janë arrestuar nga zyrtarët policorë me paratë e pranuara nga i dëmtuari.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit S.S. dhe J.N., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Fajdeja”.

Po ashtu, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit S.S. janë gjetur dhe sekuestruar nëntë fishekë të kalibrit 7.62x39 mm, për të cilët dyshohet se nuk posedonte leje valide nga organi kompetent.

Për këtë veprim, S.S. dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të pandehurit ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh që nga 24 shtatori 2026.

 


MË SHUME NGA Kronika