Aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë për shitblerje të narkotikëve
G.K/RTKlive
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.B., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, më 3 prill 2026, rreth orës 12:30, në rrugën “Megzon Boshnjaku” në Gjakovë, i pandehuri, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes pa autorizim, ka poseduar dhe transportuar substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge.
Policia e Kosovës, pasi kishte siguruar informacione, ka vëzhguar të pandehurin, i cili me automjetin e tij të markës “Ford Focus” është ndalur në parkingun e restorantit “O...”.
Pas kontaktimit dhe identifikimit të tij nga hetuesit policorë, është kryer kontrolli në automjet, ku në ulësen e pasme janë gjetur dhjetë qese të mbushura me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.
Substanca e dyshuar narkotike është sekuestruar nga hetuesit policorë.
Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, është konstatuar se substanca narkotike e sekuestruar, e llojit marihuanë, ka peshë të përgjithshme prej 4 kilogramësh e 855.9 gramësh.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri A.B. ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.























