Prokuroria jep detaje për vrasjen e dyfishtë në Gjilan
E.Hoti/RTKlive
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditura detaje të reja lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë në Livoç të Poshtëm, ku mbetën të vrarë dy persona dhe një tjetër u plagos rëndë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, 38-vjeçari nga Gjilani dyshohet se për motive ende të panjohura, me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij 27-vjeçare dhe vëllain e saj 31-vjeçar, ndërsa ka plagosur rëndë një familjar tjetër, 48-vjeçar, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Prokuroria ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë e tipit “Beretta”, me leje të skaduar, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale.
Po ashtu, janë kryer kontrolle në tri lokacione të pronave të të dyshuarit, ku janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe ndaj tij nuk ka pasur raste të raportuara për dhunë në familje.
38-vjeçari dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.3 dhe 1.5, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit.























