Zvicra investoi 5.5 milionë euro në rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes në Gjakovë
V.Th / RTKLive
Zvicra ka investuar 5.5 milionë euro në rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes në Gjakovë, projekt që synon përmirësimin e furnizimit dhe efikasitetit të sistemit të ngrohjes në qytet.
Në ceremoninë përmbyllëse të projektit morën pjesë kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, dhe ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin.
Sipas njoftimit të Komunës së Gjakovës, investimi i mbështetur nga shteti zviceran përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi më efikas dhe të qëndrueshëm të ngrohjes.
Gjatë takimit në Komunë, Gjini dhe ambasadorja zvicerane diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, projektet e realizuara në Gjakovë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Gjini e falënderoi ambasadoren për vizitën dhe shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e qytetit.






















