23:50 / 19.11.2026
Erërat e forta shkaktojnë dëme në Ferizaj, raportohet për një të lënduar
V.Th / RTKLive
Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Ferizajn gjatë mbrëmjes kanë shkaktuar dëme materiale në biznese, ndërtesa publike dhe automjete. Si pasojë e kësaj situate, është raportuar edhe për një person të lënduar.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet dhe lëvizjet e panevojshme, për të parandaluar rreziqet nga erërat e forta.
Sipas njoftimit të Policisë, ekipet policore, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe ekipet emergjente, janë duke intervenuar në rrugë dhe hapësira publike ku janë shkaktuar dëme dhe pengesa në qarkullim.
Po ashtu, ekipet në terren po trajtojnë edhe raportimet e qytetarëve.






















