ZKA-ja fillon auditimin e furnizimit me ujë të pijshëm
BKT
Kosovë

ZKA-ja fillon auditimin e furnizimit me ujë të pijshëm

A.B/RTKLive

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2026-2027, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Efektiviteti i monitorimit dhe mbikëqyrjes së furnizimit me ujë të pijshëm”, për periudhën janar 2024 - shtator 2026.

Auditimi ka për qëllim të vlerësojë efektivitetin e masave të institucioneve përgjegjëse për sigurimin e qasjes në shërbimet publike të ujësjellësit, vazhdimësinë e furnizimit, si dhe identifikimin dhe trajtimin me kohë të rreziqeve që cenojnë sigurinë e ujit të pijshëm.

Fushëveprimi i këtij auditimi do të jetë Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), ndërsa si raste studimi janë përzgjedhur Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”. Po ashtu auditimi do të përfshijë edhe proceset përkatëse të monitorimit të cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

"Ky auditim realizohet në koordinim me Iniciativën për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI) dhe ndërlidhet me Objektivin 6 të Zhvillimit të Qëndrueshëm, përkatësisht sigurimin e qasjes në ujë të pijshëm të sigurt për të gjithë", njofton ZKA.


MË SHUME NGA Kosovë