Diaspora shqiptare bashkon bizneset në panairin e gjashtë në Austri
Mbi 150 biznese nga 14 shtete të ndryshme morën pjesë në Panairin e 6-të të Bizneseve Shqiptare në Austri, i cili u mbajt më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, në Vjenë. Panairi u organizua nga Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve shqiptare, krijimit të partneriteteve të reja dhe rritjes së eksportit të produkteve vendore.
Kryetari i Rrjetit në Austri, Yll Blakaj, tha se synimi i këtij organizimi është bashkimi i afaristëve shqiptarë dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim, me theks të veçantë në mbështetjen e prodhuesve vendorë.
Ndërkaq, kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Omer Nura, u bëri thirrje afaristëve që ta shfrytëzojnë këtë panair për të krijuar kontakte të reja dhe për të ndërtuar partneritete biznesore.
Në panair morën pjesë edhe përfaqësues institucionalë të Kosovës, të cilët shprehën mbështetjen për prodhuesit vendorë dhe prezantuan mundësitë për investime në Kosovë.
Përveç prezantimit të produkteve dhe takimeve B2B, në panair morën pjesë edhe përfaqësues politikë austriakë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe partnerë ndërkombëtarë. Ata vlerësuan kontributin e ndërmarrësve të diasporës shqiptare dhe bizneseve vendore.
Në kuadër të panairit u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy bizneseve, njëri nga Kosova dhe tjetri nga Lugina e Preshevës. Marrëveshja synon forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet bizneseve shqiptare






















