Arrestohen dy persona të dyshuar për mashtrim
BKT
Kronika

Arrestohen dy persona të dyshuar për mashtrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një hetimi disa mujor, nën dyshimin e bazuar për veprën penale “Mashtrim”, është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar për mashtrim.

“Lidhur me rastin, më datë 26.04.2019 është zhvilluar plani operativ Avio-biletat me ç’rast janë kontrolluar katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre tri agjencione turistike si dhe një banesë”, njofton Policia.

Komunikata e plotë e Policisë:

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia e Hetimeve Financiare pas hetimeve disa mujore nën dyshimin e bazuar për veprën penale ‘Mashtrim’, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aplikuar masat e fshehta të hetimit me ç’rast ka bërë mbledhjen e mjaftueshme të provave të cilat ndërlidhen me veprën penale të lartëcekur. 

Lidhur me rastin, me datë 26.04.2019 është zhvilluar plani operativ Avio-Biletat me ç’rast janë kontrolluar katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre tri agjensione turistike si dhe një banesë.

Gjatë kontrollimit është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast si dhe është bërë konfiskimi i tri shtëpizave të kompjuterëve, tre telefonave mobil, dhe disa dokumenteve të cilat ndërlidhen me rastin. 

Personat e dyshuar të arrestuar në këtë operacion janë : 

R.I    – M/SH/K viti i lindjes 1990, 

A.D  – F/SH/K  viti i lindjes 1995 

Si pasojë e veprimeve të të dyshuarve dyshohet se janë dëmtuar disa agjensione turistike dhe rreth 27 (njëzet e shtatë) qytetarë nga regjionet e ndryshme të Kosovës si dhe nga diaspora. 

Dyshohet se numri i personave të dëmtuar nga ky rast mund të jetë më i madh, andaj : Apelojmë tek të gjithë qytetarët që janë viktima të mundshme të mashtrimit nga personat e dyshuar të lartëcekur të lajmërohen në polici.  

Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.


MË SHUME NGA Kronika